Zjarrfikëset e Albpetrol në ndihmë të banorëve të Koshovicës

Reparti i Specializuar i Zjarrfikësve të Albpetrol sh.a është vendosur pasditen e datës 26 Shtator 2018 në ndihmë të banorëve të Qafës së Koshovicës në rrethin e Fierit. Tokat e banorëve, kullota, ullishte dhe pyll janë prekur nga një zjarr i fuqishëm, i cili ka përparuar me shpejtësi. Tre mjete zjarrfikëse të shoqërisë Albpetrol sh.a dhe disa punonjës kanë shkuar në vendin e zjarrit dhe i janë bashkuar aksionit, i cili koordinohej nga Prefektura Fier.

Për më shumë se katër orë zjarrfikëset e Albpetrol sh.a kanë luftuar me flakët dhe kanë mundur të ndalojnë përhapjen e zjarrit në sipërfaqet e tjera. Në orët e mbrëmjes forcat zjarrfikëse kanë mundur të vënë nën kontroll zjarrin. Ky nuk është rasti i vetëm që reparti i Avari-Shpëtuesve dhe punonjësit e Albpetrol sh.a vihen në shërbim të komunitetit lokal të rrethit të Fierit. Punonjësit e Albpetrol sh.a dhe mjetet e kompanisë do të jenë gjithmonë në shërbim të komunitetit lokal në zonat ku ne ushtrojmë aktivitetin dhe jo vetëm.