Legjislacioni

Në Shqipëri aktiviteti i kërkimit, prodhimit, përpunimit, transportit dhe tregtimit të naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre rregullohet nëpërmjet dy ligjeve bazë për sektorin hidrokarbur: Ligji Nr. 7746, dt. 28.07.1993 “Për hidrokarburet (Kërkimi dhe Prodhimi)”, i cili krijon një hapësirë fleksibël dhe një siguri më të madhe për investitorët e huaj në aktivitetin e kërkimit dhe prodhimit të hidrokarbureve, dhe ligji Nr. 8450, dt. 24.02.1999 “Për përpunimin, transportimin e tregtimin e naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre”.

Ligji “Për hidrokarburet” njeh sovranitetin e Shqipërisë mbi rezervat e hidrokarbureve, të cilat mbeten pronë e Shtetit Shqiptar. Kontraktorit i jepet e drejta ekskluzive për një periudhë që nuk i kalon 25 vjet, për të zhvilluar dhe prodhuar rezervat e hidrokarbureve në zonën e kontratës, në përputhje me kushtet e një Plan – Zhvillimi të miratuar nga Ministria përgjegjëse për hidrokarburet, si dhe me të drejtën për t’a ripërtërirë kontratën në masën që parashikohet në Liçencë – Marrëveshje.

Me miratimin e dy ligjeve të mësipërme, kompanisë Albpetrol sh.a. ju dhanë në administrim vendburimet ekzistuese të naftës dhe gazit në territorin shqiptar, si dhe katër blloqe kërkimi për naftë dhe gaz si Dumre, Panaja, Velçë dhe Delvinë.

Me vendim të VKM Nr.279 datë 12.4.2012 për miratimin e listës së objekteve të operacioneve hidrokarbure,pjesë e marrëveshjes së lidhur 26.7.1993, Qeveria Shqiptare i bashkangjiti edhe blloqet e tjera të kërkimit si blloqet 1, 5, 6, 7, 8.Si rezultat i dështimit të privatizimit, këto blloqe janë pronë shtetërore që administrohen nga kompania Albpetrol sh. a.