“100- Vjetori i Naftës Shqiptare” u kremtua më 10 Prill 2018 përmes një konference të organizuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Albpetrol sh.a në qytetin e Kuçovës. Në këtë konferencë morën pjesë kompanitë më të mëdha të prodhimit të naftës në Shqipëri dhe figurat më të rëndësishme të industrisë së naftës ndër vite. Ndërkohë një vend i veçantë ju dedikua kompanive të shërbimit, të cilat ekspozuan pajisjet dhe teknologjitë më të fundit në fushën e naftës dhe gazit natyror.

Pusi i parë i kërkimit të naftës në Shqipëri filloi shpimin pikërisht 100 vjet më parë në Drashovicë të Vlorës, i projektuar nga gjeologu italian Leo Madalena dhe inxhinieri i naftës Amoretti, mbi bazën e studimeve gjeologjike që ata kishin kryer në vitin 1917. Për të shënuar këtë përvjetor u zgjodh jo rastësisht Kuçova pasi përfaqëson qytetin industrial që ka jetuar dhe jeton nga nafta që prej kohës kur kompanitë italiane zhvillonin operacionet e kërkimit.

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri, ambasadori i Italisë në Tiranë Alberto Cutillo, Kryebashkiaku Selfo Kapllani, deputetët e zonës, Administratori i Albpetrol sh.a, Kastriot Bejtaj, dhe përfaqësues të kompanive TAP e SHELL vizituan nga afër puset e rralla me rrotë të cilat japin prodhim që nga vitet 1930 deri në ditët e sotme.

Më pas aktiviteti vijoi me simpoziumin shkencor, i cili u zhvillua në kinemanë e qytetit të Kuçovës. Gjatë fjalës së tij Ministri Gjiknuri u ndal tek potencialet që ofron Shqipëria në fushën e kërkimit të naftës.”Ka një interes të shtuar për fushat e naftës në Shqipëri, për mundësi të tjera të eksplorimit qoftë në tokë, qoftë në det nga kompani shumë të mëdha ndërkombëtare. Kjo është një shenjë e mire që ne duhet ta përqafojmë dhe të bëjmë çmos që ato ti kemi këtu”, u shpreh Ministri Gjiknuri. Ndërkohë përfaqësuesit e Albpetrol i shpjeguan ministrit dhe të pranishmëve potencialet naftëmbajtëse të Shqipërisë dhe hapat që po ndërmerren për zhvillimin e teknologjisë me qëllim rritjen e prodhimit.