Në vitin e 100 vjetorit të Industrisë së Naftës, punonjësit e shoqërisë Albpetrol kanë një kontratë të re kolektive, e cila ka hyrë në fuqi më 1 Janar 2018. Kontrata e re kolektive ka një kohëzgjatje prej tre vitesh dhe në të përfshihen një sërë përfitimesh të reja për punonjësit. Kjo është risia e dytë për punonjësit e Albpetrol sh.a pas përfitimeve të Statusit të Naftëtarit, të cilat kanë filluar tashmë.

 

Diskutimet për këtë kontratë kanë nisur 7 muaj më parë me Sindikatën e Re të Naftëtarëve Shqiptarë, e cila është asistuar në këtë proces edhe nga Qendra për Marrëdhënie Pune dhe Dialog Social dhe Ambasada Suedeze. Gjatë kësaj periudhe janë zhvilluar disa takime konsultative me përfaqësitë e punonjësve dhe sindikatës deri sa është arritur varianti përfundimtar.

 

Kontrata bazohet në Ligjet e Shtetit Shqiptar, Statutin dhe Rregulloret e brendshme të shoqërisë Albpetrol sh.a si dhe është përditësuar me Ligjin “Për Statusin e Punonjësve të Industrisë së Naftës dhe Gazit” e miratuar së fundmi nga Parlamenti.

 

Risia e kësaj kontrate janë një sërë kushtesh që favorizojnë punonjësit si:

  •          Leje vjetore 5 javore për punonjësit që punojnë në profesionet e listuara në Statusin e Naftëtarit
  •          Shpërblime në raste martesash, lindje të fëmijëve, etj.
  •          Ndihme ekonomike per semundjet dhe per familjen ne rast vdekje.
  •          Trajtime suplementare për punonjësit me tituj dhe grada shkencore
  •          Pagesë për orët jashtë orarit zyrtar të punës etj.

 

Për sa i takon transportit të punonjësve, një pikë e cila është kërkuar me ngulm nga sindikata, shoqëria Albpetrol ka rënë dakord me kerkesat e punonjësve dhe ka sanksionuar në kontratën kolektive se do të sigurohet transporti falas nga Bashkitë që konsiderohen qytete pranë vendburimeve të naftës të tilla si Fier, Patos, Roskovec, Vlorë, Selenicë, Ballsh, Kucovë, Berat, Urë Vajgurore, Divjakë dhe Lushnje drejt Vendburimeve të naftës apo gazit që ndodhen në afërsi të këtyre Bashkive.

 

Një risi e kontratës kolektive është trajtimi ushqimor dhe trajtimi me antidodë. Gjithashtu për rastet kur punonjësit janë të ekspozuar ndaj aksidenteve në punë, Albpetrol sh.a, me shpenzimet e veta, do të kryejë sigurimin e jetës dhe do t’i garantojë punonjësve, në bashkëpunim me shoqëritë siguruese, trajtim të specializuar spitalor brenda apo jashtë vendit.

 

Kontrata parashikon edhe hapjen e një qendre shendetësore të specializuar me shërbim 24 orë për punonjësit e Albpetrol sh.a.