Reagim nga shoqëria Albpetrol sh.a ndaj Partisë Demokratike


Reagim nga shoqëria Albpetrol sh.a

Gjatë ditëve të fundit kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka bërë disa deklarata në lidhje me shoqërinë shtetërore të naftës, Albpetrol sh.a duke ngritur akuza të paqena. “Vetëm në 10 muajt e fundit oligarkët dhe mafia qeveritare e lidhur me të kanë bërë 100 milionë dollarë pasuri vetëm prej Albpetrolit. 100 milionë dollarë taksa që nuk janë paguar”,- është shprehur kryetari i Partisë Demokratike gjatë një takimi me banorë në Fier dhe gjatë një bisede televizive.

Në lidhje me këtë deklaratë duam të sqarojmë opinionin publik se këto deklarata janë tërësisht të pavërteta. Shoqëria Albpetrol sh.a nuk ka asnjë qindarkë detyrim të papaguar në tatime. Shifra e pretenduar nga kryetari i Partisë Demokratike është qesharake pasi të gjitha faturimet e kryera nga shoqëria Albpetrol sh.a gjatë vitit 2015 jane rreth 25 milione USD.

Kjo nuk është hera e parë që Partia Demokratike tenton të mashtrojë opinionin publik në lidhje me Albpetrol sh.a. Në të gjitha rastet ka tentuar dhe ka dështuar. Për hir të transparencës për publikun, si dhe për të informuar edhe zyrtarët e Partisë Demokratike, dëshirojmë të publikojmë disa shifra konkrete, të cilat mund të verifikohen lehtë në terren:

Më 1 tetor 2013 prodhimi i naftës nga shoqëria Albpetrol sh.a ishte 80 Ton në ditë. Sot prodhimi i naftës nga shoqëria Albpetrol sh.a është 135 Ton në ditë. Kjo rritje prodhimi është arritur me një forcë punëtore më të vogël, sot ne kemi 2000 punonjës nga 3300 që ishin në administratën e paraardhëse. Rritja e prodhimit është arritur edhe duke ulur ndjeshëm shpenzimet në krahasim me vitin 2013. Këto shpenzime janë ulur me rreth 1.000.000 USD çdo muaj në krahasim me vitin 2013.

Albpetrol sh.a ka paguar në buxhetin e shtetit në vitin 2014 rreth 8 milionë USD më shumë se sa në vitin 2013. Ndërkohë këtë vit (2014) janë shlyer edhe 10 milionë USD borxhe kundrejt OSHEE dhe 7 milionë USD divident. Këto borxhe ishin lënë nga administrata e kaluar.

Vetëm gjatë 9-muajve të parë të vitit 2013 në Albpetrol janë zhdukur 7259 ton naftë bruto. Nga data 1 Tetor humbjet janë zbritur nën kufirin minimal të 0.4%. Si rezultat, gjatë vitit 2014 humbjet kanë qenë vetëm 553 ton. Ndërkohë gjatë vitit 2015 humbjet kanë rënë nën shifrën e 250 ton.

Në 1 Tetor 2013 na dorëzuan një Albpetrol me debitorë në masën 88 milionë USD. Sot debitorët janë në masën 79 milionë USD, ndërkohë që për pjesën tjetër të debive, ndonëse proceset gjyqësore po fitohen dhe janë bllokuar llogaritë e debitorëve, shanset për arkëtim janë tejet të ulëta.

Deri në 1 Tetor 2013 Marrëveshjet Hidrokarbure nuk monitoroheshin nga Albpetrol sh.a duke lejuar kompanitë që të njihnin çdo lloj shpenzimi dhe duke mos derdhur asnjë herë fitim në buxhetin e shtetit. Sot kjo situatë ka ndryshuar.