Mbi proceduren e dhenies se bllokut kerkimor te Velçes

Shoqëria Albpetrol sh.a është duke zhvilluar procedurën për Hapjen e Negociatave për Lidhjen e Marrëveshjeve për Kërkimin e Hidrokarbureve në Bllokun e Velçës. Kjo është zona e lirë më e vogël e identifikuar nga shteti shqiptar për kërkim. Në të kaluarën Albpetrol sh.a ka shpuar dy puse në këtë zonë, por të dy rezultuan pa sukses.
Pas publikimit të zonave të lira nga Ministria e Industrisë dhe Energjisë, për këtë zonë kërkimore shfaqën interes dy kompani ndërkombëtare, por vetëm njëra prej kompanive ka arritur të kalojë fazën e parë të procesit. Propozimi i saj është miratuar nga Ministria e Industrisë dhe Energjisë, e cila i ka kërkuar Albpetrol sh.a që të vijojë me procedurat përkatëse. Albpetrol sh.a është duke shqyrtuar propozimin e kompanisë dhe shumë shpejt do të nisë negociatat. Kjo është hera e parë që një kompani shfaq interes për këte bllok.

Blloku Kërkimor i Velçës përfshin një terren tokësor me sipërfaqe prej rreth 620 kilometër katrorë. Ai shtrihet në juglindje të Vlorës dhe është identifikuar prej kohësh si një zonë potenciale naftëmbajtëse.