Kastriot BEJTAJ, Administrator i Albpetrol sh.a.

Kastriot BEJTAJ

Administrator i Albpetrol sh.a.

Administratori i shoqërisë Albpetrol sh.a, Kastriot Bejtaj, ka kryer studimet pranë Universitetit të Tiranës, Fakultetit Gjeologji-Miniera, Dega Gjeofizike, në periudhën 1978-1982. Në vitin 1983 Z. Bejtaj është diplomuar si Inxhinier Gjeofizike.

Menjëherë pas përfundimit të fakultetit, Kastriot Bejtaj ka filluar punë në industrinë e naftës dhe sot, pas një eksperience prej më se 35 vitesh, është një nga ekspertët më të mirë të industrisë së naftës në Shqipëri.

Në vitet 1983-1990, zoti Bejtaj ka ushtruar veprimtarinë e tij si inxhinier gjeofizik në projektimin dhe realizimin e punimeve gjeofizike-sizmike për regjistrimin dhe përpunimin e të dhënave sizmike 2D ne disa ekspedita pothuajse ne te gjithe territorin shqiptar perspektive per nafte dhe gaz.

Gjatë këtyre viteve zoti Bejtaj ka mbajtur disa pozicione drejtuese si: Drejtues teknik (1986-1990) në ekspeditat sizmike tokesore ne sektorin shkencor per interpretimin e te dhenave gjeologjike te ndermarrjes komplekse gjeofizike nafte dhe gaz në mbështetje të interpretimit gjeologo-gjeofizik për projektimin e puseve të kërkimit për naftë dhe gaz ; K/ing i Ndërmarrjes Gjeofizike Komplekse të Naftës dhe Gazit, Fier (1992-1995); Drejtor i Përgjithshëm i Naftës në Ministrinë e Ekonomisë dhe Privatizimit (1998-1999); Drejtor i Përgjithshëm i Korporates Shqiptare të Naftës (1999-2003); Drejtor i Përgjithshëm i Programim Zhvillimit, Ministria e Ekonomisë (2005), etj.

Zoti Bejtaj ka eksperienca pune pranë kompanive të huaja që kanë kryer aktivitet kërkimi dhe prodhimi për naftë e gaz në Shqipëri si: Shell Albania Exploration and Production, (Inxhinier gjeofizik, 1995-1998); Geophysical Institute of Israel (Inxhinier gjeofizik 2008-2009); APIC Petroleum Corp (Drejtor për aktivitetin në Shqipëri 2009-2012); Petromanas Albania GmbH-Albanian Branch (Drejtor i Përgjithshëm 2014-2016).

Nga viti 2006 e në vijim, zoti Bejtaj ka shtruar aktivitetin e tij në veprimtari projektuese, konsultuese, ekspertizë e oponencë në sektorin energjetik shqiptar dhe kryesisht të naftës dhe gazit. Ai ka qenë pjesëtar grupit në hartimin e Strategjisë të Privatizimit të Sektorëve Strategjikë (1998), Ristrukturimin e Sektorit Hidrokarbur (1999), Përgatitjen për privatizimin të shoqërive të naftës.

Në vitin 2016, në mbështetje të Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr.551, datë 18.06.2015 “Për miratimin e kritereve dhe të procedurave për pajisjen me Certifikatën e Lejes Profesionale për veprimtaritë studimore, projektuese dhe zbatuese për kërkimin, prodhimin, përpunimin, transportimin, depozitimin dhe tregtimin e lëndëve hidrokarbure”, zoti Bejtaj është pajisur nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë (sot Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë) me “CERTIFIKATËN e LEJES PROFESIONALE” Nr.32, datë 27.10.2016.

Albpetrol.al All Rights Reserved