Historiku i Naftes Shqiptare

Historia e naftës shqiptare nis gjatë pushtimit Osman, mesi i viteve 1800. Kjo është koha kur në Shqipëri nisin ekspeditat e para kërkimore mbi vendburimet naftës. Sipas të dhënave studimore, në vitin 1885 perandoria Osmane i jep të drejtën një shoqërie franceze për të shfrytëzuar resurset e Selenicës në afërsi të Vlorës. Në vitin 1918 stafetën e kërkimit për naftë e morën kompanitë italiane. Qeveria italiane dërgoi në Shqipëri ekipet e saj më të mira dhe në vitin 1918 vendoset të testohet pusi i parë i naftës. Zona më premtuese ishte Drashovica e Vlorës.

Pusi i parë dha rezultate pozitive dhe jehona e zbulimit të naftës në Shqipëri zgjoi interesin e kompanive më të mëdha të kohës. Pusi i Drashovicës në vitin 1918 është gurë kyçi i industrisë së naftës shqiptare. Një vit më vonë në vendin tonë zbarkon një kompani e huaj me aksionerë anglezë e iranianë. Sot kjo kompani është kolosi global i naftës: British Petroleum.

Në vitet pasardhëse kompanitë italiane hapën puse të tjera në zonën e Kuçovës, Dumre-Pekisht-Marinëz-Rasë, Biçakaj etj. Një tjetër kompani angleze kishte fokusuar kërkimet e saj në zonën e Vlorës e Fierit. Në vitit 1930 emri i Patosit si një vendburim nafte në shkallë industriale ishte i njohur në të gjithë Europën.

Në vitin 1945 e gjithë nëntoka shqiptare u shtetëzua dhe këtu nis epoka e re e historisë së naftës në Shqipëri

Në vitet që pasojnë, qeveria shqiptare e rriti interesin në industrinë e naftës si një katalizator në zhvillimin ekonomik të vendit. Brenda viteve 1949-1952 krijohen 11 ndërmarrje nafte dhe në të njëjtën kohë i jepet një rëndësi e veçantë kualifikimit dhe specializimit të punonjësve. Kjo konkludoi me hapjen  në 1950 të shkollës së mesme teknike në Kuçovë, me profil specifik në gjeologji, shpim, nxjerrje e përpunim të naftës.

Pas prishjes me Jugosllavinë, qeveria e kohës u orientua drejt Bashkimit Sovjetik, influenca e së cilës preku dhe sektorin e naftës në Shqipëri. Në vitin 1950 grupe ekspeditash ruse vizituan disa herë Shqipërinë. Një vit më pas u krijua Shërbimi Gjeologjik Shqiptar. Vitet që pasuan sollën hapjen e degës së gjeologjisë në fakultetin e inxhinierisë në Tiranë; ngritjen e uzinës mekanike në Kuçove si dhe të qendrës së riparimit të instrumenteve të shpimit në Patos. Operacionet e shpimit dhe kërkimit në naftës kulmuan në vitin 1957 me zbulimin e vendburimit të Marinëz. Brenda një viti prodhimi i naftës thuajse u dyfishua.

Në periudhën 1956-1960 punimet e shpimit dhe të kërkimit u rritën me intensitet të lartë, prodhimi i naftës në vitin 1960 arriti në shifrën 727 519 tonë.

Prishja e marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik në vitin 1960 solli edhe izolimin e industrisë së naftës, por jo uljen e rezultateve. Edhe pse në atë kohë gjithçka u krye nga inxhinierët shqiptarë, prodhimi i naftës në vitin 1965 kapi shifrën 822 405 tonë.

Në këtë kohë u zbuluan vendburimet e gazit në Divjakë dhe të naftës në Visokë. Në vitet 1968–1970 nisin eksperimentet pilot përmes injektimit të ujit në Marinzë dhe Kuçovë.

Përforcimi i masave dhe ngritja e një sërë strukturash të posaçme bëri që nga viti 1972 deri në vitin 1987 të zbuloheshin disa vendburime të rëndësishme nafte dhe gazi natyror, si ai në Frakull, në Finiq, Arrëz, Gorisht-Koçul, Cakran-Mollaj, Povelça, Durrës, Delvinë etj.

Moment i rëndësishëm në industrinë e naftës shqiptare është nisja nga puna e nxjerrjes së naftës në Ballsh, me aftësi përpunuese vjetore rreth 1 250 000 ton në vit.

Në vitin 1979 në Patos ngrihet Ndërmarrja e Nxjerrjes së Gazit.

Deri në fillim të viteve 1990 industria shqiptare e naftës ishte në eficiencë të plotë jo vetëm në pjesën e kërkimit dhe prodhimit, por edhe në përpunimin e naftës dhe nxjerrjen e produktit final për popullsinë.

Në mes të viteve 1990 në Shqipëri erdhën kompani botërore të naftës, të cilat morën me koncesion fushat naftëmbajtëse të administruara nga Albpetrol. Kjo solli dhe një ndryshim në rolin e kompanisë, e cila sot është jo vetëm prodhuese e naftës, por funksionon edhe si ent rregullator dhe kontrollues i marrëveshjeve hidrokarbure të lidhura mes shtetit shqiptar dhe kompanive të huaja.

Industria e Naftës dhe e Gazit do të vazhdojë që të ketë një rol parësor në ekonominë e vendit tonë, jo vetëm për faktin që punëson një numër të konsiderueshëm punonjësish, por edhe për të ardhurat që përfiton shteti nga kjo industri dobiprurëse.