Shoqëria Albpetrol sh.a ka zhvilluar analizën e punës së saj për 9 mujorin e vitit 2014, nga e cila rezulton një shifër rekord faturimesh dhe kontributesh në buxhetin e shtetit. Për herë të parë pas shumë vitesh shoqëria Albpetrol sh.a është kthyer në një nga financuesit më të mëdhenj në buxhetin e shtetit.

Gjatë 9 muajve të parë të vitit 2014 shoqëria Albpetrol sh.a ka faturuar për shitje dhe shpenzime më tepër se 9 miliardë lekë të reja. Kjo është një rritje e ndjeshme në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë kur shifra e faturimeve ishte 4 miliardë lekë të reja, ose 46 milionë USD me pak.

Rritja e faturimeve dhe të ardhurave të shoqërisë Albpetrol sh.a ka ndikuar drejt për drejtë në rritjen e kontributeve që shoqëria jonë ka derdhur në buxhetin e shtetit. Gjatë kësaj periudhe Albpetrol sh.a ka derdhur në buxhetin e shtetit rreth 35 milionë USD, ose 12 milionë USD më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

Kjo rritje e faturimeve dhe të ardhurave i ka mundësuar shoqërisë Albpetrol sh.a që përveçse të rrisë kontributet në buxhetin e shtetit, të arrijë të shlyejë edhe të gjitha borxhet e grumbulluara gjatë viteve të kaluar. Vlen të theksohet se Albpetrol sh.a vetëm ndaj OSHEE ka shlyer gjatë vitit 2014 më shumë se 10 milionë USD detyrime dhe kamatë vonesa të krijuara nga viti 2008 deri në vitin 2013.

Një tjetër tregues i përmirësuar ndjeshëm gjatë 9 muajve të parë të vitit 2014 nga shoqëria Albpetrol sh.a është edhe ulja e humbjeve fizike në Ton. Rezultati i 9 muajve të parë, por edhe rezultati i pritshëm i fundvitit është rezultati më i mirë i 24 viteve të fundit (nga viti 1991 e deri më sot). Në fund të vitit shoqëria Albpetrol sh.a parashikon që niveli i humbjeve fizike të jetë 650 ton naftë në një kohë kur në vitin 2013 humbjet fizike arritën shifrën e frikshme prej 7259 tonëve naftë me një vlerë prej më tepër se 4 milionë USD.