Albpetrol përgënjeshtron deklaratat e deputetit Z. Sali Berisha: Ja e vërteta e shitjes së naftës bruto

Reagim nga shoqëria Albpetrol sh.a

Ditën e sotme, në disa portale online, është publikuar një lajm ku pretendohet se shoqëria Albpetrol sh.a ka shitur naftën bruto në vitin 2014 më lirë se sa kompania Bankers Petroleum dhe pa marrë si referencë çmimin e naftës në bursë. Ky publikim është i pasaktë dhe Albpetrol sh.a sqaron si më poshtë:

Të gjitha shoqëritë e licencuara për shitjen e naftës bruto, përfshirë dhe Albpetrol sh.a operojnë me çmime që kanë si referencë treguesit e publikuar në bursat ndërkombëtare.

Albpetrol sh.a e shet naftën e saj në tregun vendas përmes një ankandi të hapur dhe publik, ndërkohë që çmimi fillestar llogaritet në përputhje me specifikimet teknike të lidhura me treguesin Brent. Kompania që shpallet fituese është ajo që ofron çmimin më të lartë gjatë Ankandit.

Në lidhje me ankandet e pretenduara në publikimin në fjalë sqarojmë se nuk janë zhvilluar në kohën kur Ministër i Energjisë dhe Industrisë ishte Z. Damian Gjiknuri dhe Administrator i Albpetrol sh.a ishte Z. Endri Puka.  Te gjitha ankandet janë zhvilluar nga administrata e kaluar para Tetorit 2013 dhe Albpetrol sh.a ka pasur detyrimin ligjor të zbatimit të kontratave, të cilat janë ekzekutuar gjatë periudhës Janar 2013-Dhjetor 2014. Gjatë ekzekutimit të këtyre kontratave, më periudhën që Albpetrol drejtohej nga Partia Demokratike, janë lënë 9 milion USD pa paguar, fakt për të cilin Ministria e Energjisë dhe Industrisë ka kallëzuar në Dhjetor 2013 në Prokurorinë e rrethit Fier ish-administratorin Ferdinand Murati.

Në materialin e publikuar pretendohet se çmimi  naftës së shitur ne përputhje me Ankandet e specifikuara më sipër nga Albpetrol sh.a është ndjeshëm më i ulët se sa çmimi me të cilin kanë shitur operatorët e tjerë të tregut. Kjo është e pasaktë pasi çmimi i naftës së shitur nga shoqëria Albpetrol sh.a është i njëjtë, madje në shumë raste edhe më i lartë se sa çmimi që kanë shitur kompanitë e tjera në tregun vendas si “Stream Oil and Gas” apo “Trans Oil”, kompani të cilat për nga përmasat, mënyra e shitjes dhe cilësia e naftës janë të ngjashme me Albpetrol sh.a.

Lidhur me diferencat në çmim me kompaninë Bankers Petroleum, ndryshimi vjen për shkak të faktit se Albpetrol sh.a e shet naftën e saj në tregun vendas dhe me kushtin që Blerësi, me mjetet e tij, te realizoje transportin duke e tërhequr naftën nga Magazinat e Albpetrol.

Ndërkohë kompania Bankers Petroleum në këtë periudhe e ka shitur naftën në eksport nën kushtet FOB, të ngarkuar në anijen e blerësit në portin e Petroliferes, Vlorë.

Shitja e naftës nga porti i Petroliferas ka kosto shtesë krahasuar me një shitje që Bankers Petroleum mund të realizonte në të njëjtat kushte si Albpetrol:

Transportin e naftës nga Patos Marinza në Vlorë, Përdorim Holluesi për të përmirësuar cilësinë e produktit dhe për të mundësuar transportin, Depozitim dhe magazinim në depozitat e Petroliferas, ngarkim në anije, firo teknike, kostot e eksportit, kostot e ndërmjetësit etj.

Këto kosto ndikojnë në rritjen me rreth 10-20% të kostos së naftës brut dhe të çmimin të shitjes të saj.

Ndërkohë vlerat neto të përfituara nga shoqëritë respektive janë të përafërta dhe nuk kanë asnjë lidhje me shifrat spekulative të përmendura në publikimin në media.

Drejtoria e Marketingut

dhe Marrëdhënieve Publike