Shoqëria Albpetrol sh.a ka marrë pjesë në panairin “Work & Study” të zhvilluar në datat 3-4-5 Tetor në Tiranë duke pasur një stendë të sajën ku janë ekspozuar mundësitë e punësimit në shoqërinë tonë. Panairi është organizuar nga Dhoma Kombëtare e Tregtisë dhe Industrisë me mbështetjen e Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Ministrisë së Arsimit dhe Sportit. Ky ishte edicioni i pestë i panairit dhe në të morën pjesë rreth 40 kompani të ndryshme.
Në këtë panair janë prezantuar 3646 vende vakante pune, ose 20% më shumë se vitin e kaluar. Gjatë panairit u prezantuan vendet e lira të punës në shoqërinë Albpetrol sh.a dhe u pranuan aplikime nga të interesuarit duke pasur në konsiderate kriteret e përcaktuara paraprakisht nga Drejtoria e Burimeve Njerëzore për secilin post pune.
Qindra persona vizituan stendën e Albpetrol sh.a duke u interesuar për mundësitë e punësimit. Rreth 120 prej tyre kanë depozituar CV-të e tyre, të cilat do të shqyrtohen nga shoqëria jonë. Pjesa më e madhe e aplikantëve ishin me arsim të lartë në degate inxhinierisë së naftës, asaj elektrike, mekanike, ndërtimi dhe fushën e ekonomisë.